Kurti: Buxheti për sektorin e arsimit është rritur 26 %
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim rektorin e Fachhochschule Flensburg dhe deputetin e Parlamentit të Hamburgut, dr. Sven Tode.
Përmes një njoftimi për medie bëhet me dije se takimi filloi me urimin e kryeministrit për mirëseardhje në Kosovë dhe për interesimin e Tode në fushën e arsimit në Kosovë. Kryeministri Kurti e njoftoi atë për arritjet e qeverisë në fushën e arsimit.
“Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe rreth marrëdhënieve bilaterale në këtë drejtim, për bashkëpunimin akademik dhe për mundësitë dhe potencialin që paraqet mërgata jonë në Gjermani për fuqizimin edhe më tej të marrëdhënieve tona”, thuhet në njoftim.
Kurti në takim theksoi se buxheti për sektorin e arsimit është rritur 26 %, kurse studimet universitare janë pa pagesë për studentët.
Dr. Sven Tode shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për përparimet e bëra në fushën e arsimit.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Tode do t’i vizitojë disa universitete dhe shkolla për të parë nga afër zhvillimet dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm. Në Hamburg ai është në kontakt të vazhdueshëm me studentët shqiptarë dhe synon t’i forcojë lidhjet akademike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.