Kurti: 28 Nëntori na bashkon, na forcon ndërgjegjen e krenarinë kombëtare

Kurti: 28 Nëntori na bashkon, na forcon ndërgjegjen e krenarinë kombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, tha se idealet, parimet dhe synimi për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, ishin çka bashkuan mendimtarë e veprimtarë patriotë të kombit, më 28 Nëntor 1912.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Kurti u shpreh se mendimtarë e veprimtarë patriotë të kombit na lanë një trashëgimi historike e detyrë kombëtare, që atdheun ta duam, ta mbrojmë, ta përparojmë.

“Sot e festojmë atë ditë, me shumë herë më pak vuajtje sesa në të kaluarën. E kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, e të jemi bashkë. Sepse duhet të qëndrojmë bashkë. Për sa më shumë zhvillim e demokraci, mirëqenie e prosperitet për qytetarët tanë në Kosovë e në Shqipëri”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.

Ai bëri të ditur se bashkë me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryeparlamentaren Spiropali e shumë miq e personalitete, e festuan në Vlorën e Pavarësisë, në qytetin që shënoi themelimin e shtetit shqiptar.

“Dita e sotme e forcon tek të gjithë shqiptarët, ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!”, ka shkruar në fund Kurti.

Share This