Kundërshtari i Kosovës në Ligën e Kombeve mbetet pa trajner

Kundërshtari i Kosovës në Ligën e Kombeve mbetet pa trajner

Kur Kosova dhe Rumania ndeshen në shtator, në stolin e pankinës rumune nuk do të jetë Edi Iordanescu.

Federata e Futbollit e Rumanisë ka bërë të ditur sot se trajneri Iordanescu ka vendosur të largohet.

Ndeshja e parë e Rumanisë në sezonin e ri të Ligës së Kombeve do të zhvillohet kundër Kosovës më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, një përballje, e cila i takon Grupit C2.

Iordanescu, i cili ishte në krye të Kombëtares rumune prej janarit të vitit 2022, ka drejtuar ekipin në njëzet e tetë ndeshje, duke regjistruar dhjetë fitore, dhjetë barazime dhe tetë humbje.

Në njoftimin e saj, Federata e Futbollit e Rumanisë ka falënderuar trajnerin për kontributin e tij gjatë mandatit dyvjeçar, duke theksuar se Iordanescu solli një vizion të ri dhe një qasje moderne në përgatitjen dhe drejtimin e ekipit.

“Edward Iordanescu, të cilit kontrata i skadon në fund të korrikut, nuk do të vazhdojë në stolin e kombëtares rumune. I emëruar në fillim të vitit 2022, Edward Iordanescu mori drejtimin e ekipit kombëtar në një moment të rëndësishëm, duke sjellë një vizion të ri dhe një qasje moderne në përgatitjen dhe drejtimin e ekipit. Gjatë mandatit të tij, Kombëtarja shënoi rezultate, por Federata e Futbollit e Rumanisë e kupton dhe respekton vendimin e Edward Iordanescu për të marrë një pushim. Njëkohësisht, Federata e falënderon për punën e bërë, për përkushtimin e tij në këtë periudhë plot sfida dhe për rezultatet e arritura me Kombëtaren dhe i uron shumë suksese në projektet e tij të ardhshme, duke pasur bindjen se Edward Iordanescu do të vazhdojë të të ketë një ndikim pozitiv në futbollin rumun në të ardhmen,” ka theksuar Federata e Futbollit e Rumanisë.

Share This