Kryediplomatja e Finlandës sot viziton Kosovën
Kryediplomatja e Finlandës, Elina Valtonen, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, ajo do të pritet në takim nga Kurti në orën 15:00.
Vizitën e saj Kurti e kishte paralajmëruar javën e kaluar në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti kishte deklaruar se në këto takime do të diskutohet edhe për planin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.
Përveç Kurtit, Valtonen do të takohet edhe me Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën, në orën 11:00.
Valtonen vjen në Kosovë pas qëndrimit të saj në Shqipëri.
Forcimi i sigurisë, integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Finlandës ishin të fokus të takimit të një dite më parë të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologes së tij finlandeze Elina Valtonen.
Ministri Hasani e vuri theksin në rritjen e rolit të NATO-s dhe BE në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të mos lejojë ndërhyrjen dhe keqdashjet e aktorëve të tretë.
Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Finlandës, Hasani tha se duhet të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe investimet finlandeze në Shqipëri.
Edhe ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen tha se Ballkani e ka vendin në BE dhe se duhet të plotësojë sa më shpejt kriteret për t’u anëtarësuar, raporton rtk.