Kreu i ‘Dardanëve’: Duhet të respektohet kjo bluzë e shenjtë
Kreu i tifozëve të Kombëtares sonë, ‘Dardanëve’ Lulzim Berisha përmes një rrjeteve sociale, ka kërkuar angazhim maksimal të futbollistë tonë në duelet e radhës në Ligën e Kombeve.
Kosova të premten mbrëma zhgënjye në duel me Rumaninë duke u mundur në ‘Fadil Vokrri’ (0-3), në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Ligën e Kombeve.
I pari i tifozëve tonë thotë se Kosova është dashuri që nuk shuhet kurrë, por sipas tij, kjo nuk nënkupton që të mos kërkohet angazhim vetëmohues nga lojtarët tonë apo çdo aktori i përfshirë në kombëtare.
“Kosova është dashuri që nuk shuhet kurrë, por kjo nuk nënkupton që të mos kërkojmë dhe dëshirojmë angazhim vetëmohues nga lojtarët apo çdo aktor i përfshirë në kombëtare. Duhet të respektohet çdo ndjenjë dashurie e tifozëve Dardanë për këtë bluzë të shenjtë për të cilën kurrë nuk është e tepërt të përsëriten sakrificat që janë bërë për t’i shijuar netët evropiane. Dashuria për ju nuk do të pësojë asnjëherë rënie prej Dardanëve. Do të jemi pranë jush. Mendjet dhe zemrat tona janë me ju qysh nesër kundër Qipros, sfidë të cilën dëshirojmë të ju shohim fitimtarë në fushë dhe me një energji të atillë që t’ua mbyllni gojën individualisht edhe plot dashakeqësve që fërkojnë duart për të ju sharë në rrëshqitjen e parë që bëni”.
“Duam të ju shohim të bashkuar si në momente mërzie sportive ashtu edhe në ato festive. Duam të ju shohim si një trup i vetëm ku protagonizmi vetanak nuk vendoset kurrë para interesit ekipor. Asnjë rezultat nuk mund ta vë në pikëpyetje përkrahjen për ju, por ju duam të buzëqeshur, të lumtur e krenarë se çka përfaqësoni, me mentalitet fituesish në fushë dhe asnjëherë kokulur apo të dorëzuar. Kjo tokë na ka ushqyer me patriotizëm të mjaftueshëm sa karshi vendit tonë të mos jemi asnjëherë të dorëzuar. Kosova nuk pranon dorëzim e dezertorë. Besa, besë. Forca Kosova ime!”, ka shkruar Berisha.
Ndeshja Qipro-Kosovë luhet nesër prej orës 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.