Krasniqi: Kosova po degradohet politikisht dhe diplomatikisht

Krasniqi: Kosova po degradohet politikisht dhe diplomatikisht

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të 17-të radhazi për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur situatën shqetësuese dhe degradim të vazhdueshëm institucional.

Sipas Krasniqit, PDK-ja ka ofruar jo vetëm gatishmërinë e saj për zgjidhje, por edhe ka paraqitur propozime dhe iniciativa konkrete, të cilat sipas tij janë refuzuar në mënyrë të njëanshme nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

“Në këtë situatë, vendi po shkon duke degraduar më tutje. Kosova po humbet çdo ditë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë diplomatik,” – deklaroi Krasniqi, transmeton Rekordi.net.

Ai shtoi se izolimi i vendit është bërë i dukshëm, duke përmendur takimet e nivelit të lartë në Tiranë, ku liderët evropianë u mblodhën për një forum të rëndësishëm, ndërkohë që në Kosovë – sipas tij – u mbajtën takime të papërfillshme ndërkombëtare.

“Hiç më larg se dje në Tiranë ishte mbledhja më e madhe e liderëve evropianë. Na gëzoi fakti që Tirana u shndërrua në kryeqytet të Evropës. Ndërkohë në Kosovë, deputeti Kurti si ish-kryeministër pati një takim tjetër me disa të rinj socialistë nga bota,” – tha ai me ironi.

Krasniqi gjithashtu kritikoi sjelljen e deputetëve të VV-së në Kuvend, duke i akuzuar për mungesë vullneti dhe shkelje të rregullores së punës.

“Deputetët e VV-së erdhën me vonesë dhe kërkuan që ta shkelin rregulloren. Ata kërkuan që të mblidhemi një herë në javë, ndonëse rregullorja përcakton mbledhje çdo 48 orë. Kjo është një sjellje e papranueshme dhe mungesë totale e përgjegjësisë para qytetarëve.”

PDK ka insistuar se Kuvendi duhet të funksionojë sipas rregullores aktuale dhe çdo vonesë e mëtejme në konstituimin e legjislaturës përfaqëson një krizë të thellë institucionale. /Rekordi.net

Share This