Krasniqi: Heroi Afrim Bunjaku ishte simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së ndaj atdheut

Krasniqi: Heroi Afrim Bunjaku ishte simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së ndaj atdheut

Në njëvjetorin e vrasjes së policit Afrim Bunjaku, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar familjen e heroit të Kosovës dhe ka bërë homazhe te varri i tij.

Ai ka vlerësuar se Bunjaku ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut.

Krasniqi ka shkruar në “Facebook” se Afrim Bunjaku përballë terroristëve mbrojti tokën e Kosovës.

“Sot, në njëvjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku, për të nderuar sakrificën e tij sublime, vizituam familjen Bunjaku dhe bëmë homazhe pranë varrit të tij në Samadrexhë të Vushtrrisë. Guximi vetëmohues i Afrimit në shërbim të atdheut, ka gdhendur përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës. Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza”, ka shkruar Krasniqi.

Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se Kosova është e lirë falë heronjve si Afrim Bunjaku.

“Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë. Sot, krahas nderimit për Afrimin, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për familjen Bunjaku, dhembjen e së cilës e ndanë secili qytetar atdhedashës i shtetit tonë. Kosova – e lirë dhe e përjetshme falë heronjve si Afrim Bunjaku. Lavdi!”, ka shkruar Krasniqi.

Share This