Kosova në grup me Bosnjë-Hercegovinën dhe Belgjikën
Hendbollistet e Përfaqësueses së Kosovës do të garojnë në Grupin 2 të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2025.
Shorti i tërhequr të martën në Vjenë ka përcaktuar që Kosova të jetë në të njëjtin grup me Bosnjë-Hercegovinën dhe Belgjikën. Në short, Kosova ishte në vazon e parë, falë ngritjes së vazhdueshme të viteve të fundit. Grupi i parë përbëhet nga Greqia, Lituania dhe Britania e Madhe. Në grupin e tretë janë Finlanda, Izraeli dhe Estonia, kurse në grupin e katërt janë Italia, Luksemburgu e Bullgaria. Ndeshjet e grupit të Kosovës pritet të zhvillohen në Belgjikë prej 25 deri më 27 tetor.
Nëse Belgjika nuk e shfrytëzon të drejtën e organizimit të turneut, atëherë ndeshjet zhvillohen në Kosovë. Grupi vlerësohet solid, ndërsa synim i Kombëtares sonë do të jetë vendi i parë dhe avancimi në plejof.