Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

Pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen virale “Gjuha e Kaltër” në territorin e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka ndërmarrë masa urgjente për të parandaluar përhapjen e saj në vend.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi sot se është vendosur ndalesë e përkohshme për importin e kafshëve të gjalla – dele dhe dhi – nga Maqedonia e Veriut, duke konsideruar rrezikun e përhapjes së kësaj sëmundjeje tek ruminantët e vegjël në Kosovë.

AUV ka apeluar tek të gjithë fermerët në zonat kufitare që të mbajnë nën mbikëqyrje tufat, të shmangin çdo kontakt me kafshët nga territori maqedonas dhe të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet për zbatimin e masave kufizuese të lëvizjes në kullosa.

“Fermerët që mbajnë dele dhe dhi duhet të respektojnë urdhëresat për ruajtjen e shëndetit të tufave. Çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve duhet të raportohet menjëherë tek veterineri”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

“Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virusale jo ngjitëse për njerëzit, që përhapet përmes insekteve të llojit Culicoides. Ajo prek gjedhin, delet dhe dhitë, por më e ndjeshme është delja. Sëmundja nuk transmetohet nga kafsha tek kafsha dhe as tek njeriu, por mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët për shkak të vdekshmërisë dhe dëmeve ekonomike.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është mobilizuar qe të mbikëqyrë me rreptësi masat e vendosura  dhe ta parandaloj përhapjen e sëmundjes në vendin tonë. Përderisa kemi dy sëmundje të ndryshme prezentë në dy vendet fqinjët, e të cilat prekin të njëjtat lloje të kafshëve Dele, Dhi. Kërkojmë qe fermerët të aktivizojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre. Njëkohësisht mbi çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve ne tufë, të njoftojnë menjëherë veterinarin”, njofton AUV.

Share This