
Kosova feston 17 vjetorin e pavarësisë
17 shkurtin e këtij viti shënohen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Një sërë aktivitetesh janë planifikuar, ndërkohë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë valojnë në sheshet kryesore të Prishtinës.
Siç është bërë traditë gjithçka nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës, ngritjen e Flamurit të Kosovës, nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë dhe Monumenti Heroinat, homazhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Prekaz.
Në sheshin “George Bush” do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Koncerti i Pavarësisë do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu”.
Sot do të mbahet edhe konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Pritja shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari e kryeministri i Kosovës, dhe koncerti solemn i Filarmonisë së Kosovës.
Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga më shumë se 110 shtete të botës.