Kosova e Shqipëria organizojnë Evropianin U16
Kosova dhe Shqipëria do të organizojnë bashkë CEV Kampionatin Evropian U16 (femrat), një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e volejbollit të Kosovës.
Aplikimi i përbashkët i të dy vendeve pritet të konfirmohet së shpejti nga Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV), për garën e cila do të zhvillohet në korrik 2025.
“Ky kampionat do të jetë aktiviteti më i rëndësishëm që do të organizohet nga shtëpia kosovare e volejbollit, dhe besimi i dhënë nga CEV është një vlerësim i madh për zhvillimin e volejbollit në Kosovë dhe Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, turneu do të zgjasë 12 ditë, me 16 kombëtare pjesëmarrëse të ndara në dy grupe me nga 8 skuadra, të cilat do të garojnë në fazën finale të këtij Evropiani. Detajet e plota do të publikohen nga CEV në javët në vijim.