Kosova e gatshme për ndeshjet kualifikuese kundër Gjerogjisë e Bullgarisë
Kombëtarja e Kosovës në futsall tash e disa ditë është duke u përgatitur për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2026, që do t’i zhvillojë gjatë këtij muaji.
Dardanët bëjnë pjesë në Grupin 10, bashkë me Francën, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë. E duelin e parë do ta zhvillojnë si mysafirë të premten kundër Gjeorgjisë në Tbilisi, derisa më 17 dhjetor do të luajnë në shtëpi kundër Bullgarisë, njofton FFK. Kjo është hera e parë që Kosova kualifikimet për Evropian i nis nga ‘Main Round’, ku 10 ekipet e renditura në pozitën e parë i bashkohen Letonisë dhe Lituanisë si nikoqire në finalet e Euro 2026, derisa tetë ekipet më të mira të vendeve të dyja luajnë në ‘play-off’ në shtator për katër bileta tjera të Evropianit.
Përzgjedhësi Agon Ramadani dhe lojtarët Ramadan Alaj, Bajram Ramadani dhe Mërgim Dervishaj u shprehën optimistë se në këtë cikël kualifikues do të tregojnë paraqitje më të mira dhe pse jo të jenë befasia e grupit.