Konjufca takohet me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, bisedojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit

Konjufca takohet me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, bisedojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE), të kryesuar nga Petra Bayr.

Pasi i ka falënderuar për vizitën e tyre në Kosovë, kryetari Konjufca i ka njoftuar mysafirët me ecurinë aktuale politike në vendin tonë, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke vlerësuar se ky proces është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat tona të përbashkëta evropiane.

Në takim është diskutuar rreth Ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane.

Po ashtu, kryekuvendari Konjufca, ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Kryetari Konjufca e ka falënderuar delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për diskutimin e frytshëm dhe iu uroi atyre qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në vendin tonë.

Share This