Konjufca: S’ka fqinjësi të mirë pa ndëshkim të krimit në Banjskë

Konjufca: S’ka fqinjësi të mirë pa ndëshkim të krimit në Banjskë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufa pas takimit me homologen e tij nga Sllovenia, Urska Klakocar Zupançiq ka thënë se Kosova dhe Sllovenia historikisht kanë pasur marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore ndërmjet veti, derisa të dy shtetet duan të thellojnë bashkëpunimin e tyre. Duke folur për dialogun me Serbinë, Konjufca ka theksuar se pa ndëshkimin e kryerësve të krimit në Banjskë nuk do të mund të ketë fqinjësi të mirë.

Kryeparlamentari Konjufca në konferencën për media pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, e ka falënderuar atë për mbështetjen e palëkundur që shteti slloven i jep Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme, e sidomos në ato integruese.

“Biseduam për bashkëpunimin e deritashëm dhe thellimin e këtij bashkëpunimi. Kryetaren Zhupançiq e njoftova për përparimin që ka bërë Kosova viteve të fundit. E falënderova që Sllovenia e përkrahu procesin e liberalizimit të vizave, e njëkohësisht e falënderova edhe për mbështetjen e madhe që na jep shteti slloven për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Konjufca.

Ai tutje theksoi se Kosova dhe Sllovenia janë të drejtuara fuqishëm në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, pas agresionit të paprovokuar nga Rusia.

Konjufca tha se Kosova ende është në pritje të përgjigjes për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, duke qenë i vetmi vend i cili nuk e ka ende këtë status.

“Homologes sllovene ja shpreha shqetësimin tonë për tendencat destabilizuese të shtetit serb, që kulmuan me sulmin e egër dhe terrorist më 24 shtator, meqë rast Serbia përmes një grupi të armatosur vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy policë tjerë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë pa u dënuar kryerësit e këtij krimi dhe pa u adresuar përpjekjet e tilla destabilizuese”, tha Konjufca.

Ai ka thënë se në këtë takim e ka njoftuar homologen e tij për qëndrimin parimor të Kosovës për një marrëveshje që duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër si e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së, duke pasur parasysh se Kosova i ka ndërmarrë  të gjitha veprimet për të përmbushur kërkesat e BE-së.

Kryeparlamentari  ka thënë se institucionet e sigurisë kanë informacione të sakta se qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

“Ka informacione të sakta se një grup prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrojnë po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund ta përjetojmë. Por në jemi gjithmonë të përgatitur dhe institucionet tona të sigurisë janë në vigjilencën më të lartë”, tha Konjufca.

 

Share This