Kongresi i parë gjuhësor kushtuar shqipes në Kalabri
129 vjet me parë zhvilloi punimet i pari Kongres Gjuhësor Shqiptar.
Ky kongres u mbajt në Koriliano Kalabro, të Provincës së Kozencës, më 1–3 tetor 1895 dhe u pasqyrua gjerësisht nga shtypi italian dhe europian i kohës si një ngjarje me rëndësi të veçantë. Tema e kongresit ishte prezantimi i aspekteve gramatikore, leksikore dhe fonetike të gjuhës shqipe, të asaj gjuhe të lashtë, të ëmbël e melodioze, që arbëreshët e ruanin dhe e kultivonin me dashuri dhe patriotizëm shembullor.
Kongresi i zhvilloi punimet në mjediset e gjimnazit “Garopoli” dhe morën pjesë 25 kongresistë gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe klerikë të shquar të kishës arbëreshe.
Ky aktivitet shkencor gjuhësor dhe patriotik u ndoq nga afër nga rreth 500 pjesëmarrës të ardhur nga komuna të ndryshme të Kalabrisë, Kampanjës, Pulias dhe Siçilisë. Me 2 tetor 1895, pjesëmarrësit në Kongresin e Koriliano-Kalabro miratuan themelimin e Shoqërisë Kombëtare Shqiptare, statutin dhe këshillin drejtues me kryetar nderi një prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XIX dhe botës arbëreshe, Jeronim De Radën. /ATSH/