KOMF-i shpreh shqetësim për situatën e rëndë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF ka shprehur shqetësim për situatën e rëndë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë apo punojnë në rrugë.
“Ditëve të fundit është vënë re një rritje e rasteve të fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë, sidomos në orët e vona të natës. Fëmijët po përballen me një sërë rreziqesh serioze për shëndetin dhe jetën e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët nën tre vjeç dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të larta mbi 35 gradë celsius gjatë ditës. Fëmijët në situatë rruge janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional. Fëmijët po kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit”, është thënë në njoftimin e KOMF-it.
KOMF i bën thirrje komunave dhe institucioneve komunale që të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve në situatë rruge.
“KOMF i bën thirrje prindërve që të mos keqpërdorin dhe shfrytëzojnë fëmijët për kërkim të lëmoshës dhe për punë të rënda. Shfrytëzimi i fëmijëve përbën vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Kosovës. KOMF i bën thirrje qytetarëve, sidomos atyre që vinë nga diaspora, të mos ofrojnë lëmoshë për fëmijët. Dhënia e lëmoshës mund të nxisë edhe më shumë daljen e fëmijëve në rrugë dhe kështu rrezikohet shëndeti, mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve”, është theksuar në njoftimin e KOMF-it.