Kombëtarja kryen stërvitjen e fundit, gati për sfidën kundër Lituanisë në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja kryen stërvitjen e fundit, gati për sfidën kundër Lituanisë në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e saj zyrtare në prag të ndeshjes së fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, që do të zhvillohet nesër (18 nëntor 2024), në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Atmosfera mes lojtarëve është tejet pozitive dhe motivimi për ta mbyllur këtë vit me një fitore përpara tifozëve dardanë është maksimal.

Në këtë sfidë, përzgjedhësi Franco Foda nuk do të mund të llogarisë në dy lojtarë të rëndësishëm të repartit të mbrojtjes, kapitenin Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellovën, të cilët janë të pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë.

Megjithatë, përzgjedhësi ka siguruar se ekipi ka opsione të mjaftueshme për të mbushur boshllëkun dhe për të përballuar Lituaninë me sukses.

“Ekipi ka treguar lojë shumë të mirë në Rumani dhe jemi të rigjeneruar plotësisht. Edhe pas asaj ngjarjeje, kemi ruajtur vetëbesimin dhe do të jemi të gatshëm për lojën kundër Lituanisë. Kemi alternativa për repartin e mbrojtjes, si Aliti, Hoti dhe Krasniqi, të cilët janë të gatshëm të japin maksimumin”, tha Foda në konferencën për media.

Ai shtoi se stili i lojës së Lituanisë, me qasje fleksibile dhe përdorim të kundërsulmeve e topave të gjatë, kërkon përqendrim të lartë nga ekipi i Kosovës.

“Është e rëndësishme ta mbajmë topin dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë që krijojmë. Me mbështetjen e publikut tonë dhe energjinë që treguam në Rumani, jam i sigurt se mund të arrijmë një tjetër rezultat pozitiv,” theksoi trajneri gjerman.

Sulmuesi Vedat Muriqi u shpreh krenar për paraqitjet e ekipit dhe vendosmërinë për të ruajtur imazhin dhe dinjitetin e Kosovës në fushën e lojës.

“Jemi krenarë pasi kemi marrë vendimin e duhur. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës dhe shpresojmë ta mbyllim këtë cikël të Ligës së Kombeve me fitore. Synimi ynë është të dalim në fushë me pasion dhe përkushtim të plotë, ashtu si në Rumani. Jemi të përgatitur për një kundërshtar të fortë dhe nuk pajtohemi me asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Duam t’i gëzojmë tifozët tanë dhe ta mbyllim këtë cikël me sukses”, deklaroi Muriqi.

Share This