Kolorado- Sulm me molotov gjatë tubimit për pengjet izraelite, plagosen tetë persona

Kolorado- Sulm me molotov gjatë tubimit për pengjet izraelite, plagosen tetë persona

Tetë të plagosur është bilanci i një sulmi me molotov në Boulder, Kolorado. Ndërsa akti po hetohet si terrorizëm, autoritetet e vendit kanë bërë me dije se një person ka sulmuar me flakëhedhës dhe kokteje molotovi qytetarët gjatë një tubimi në mbështetje të pengjeve izraelite, i cili zhvillohet çdo javë.

Ngjarja ndodhi gjatë një marshimi “Vraponi për Jetën e Tyre ”, një organizatë që ngre ndërgjegjësimin për pengjet izraelite të mbajtura në Gaza, kur 45-vjeçari Mohamed Sabry Soliman ka sulmuar duke bërtitur “Palestina e lirë”.

Autori i sulmit është arrestuar, ndërsa policia shprehet “mjaft e bindur” se ai veproi i vetëm.

Incidenti është i fundit në një seri sulmesh ndaj komunitetit hebraik në SHBA, pas luftës së Izraelit në Gaza. Më pak se dy javë më parë, dy anëtarë të stafit të Ambasadës Izraelite u qëlluan për vdekje në Uashington, DC , nga një sulmues i cili bërtiti gjithashtu “Liri për Palestinën!” ndërsa arrestohej.

Kush janë viktimat?

Katër gra dhe katër burra, të moshës 52 deri në 88 vjeç, mbetën të plagosur si pasojë e sulmit, ndërsa janë dërguar në spitalet metropolitane të Denverit. Të paktën një person është në gjendje kritike për jetën.

Reagimi i udhëheqësve hebrenj

Udhëheqësit hebrenj kanë kërkuar veprime konkrete dhe pas sulmit antisemit në Boulder.

“Sot, gjashtë persona u dogjën nga një terrorist në Boulder të Kolorados. Pse? Sepse ata po bënin thirrje që 58 pengje që mbahen ende nga terroristët e Hamasit të ktheheshin më në fund në shtëpi”, tha në mediat sociale Ted Deutch, Drejtor Ekzekutiv i Komitetit Amerikan Hebraik.

Ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve të shkojnë përtej simpatisë dhe të ndërmarrin veprime, duke kërkuar që t’i jepet fund nxitjes, Deutch e lidhi dhunën me përhapjen e retorikës ekstremiste, duke paralajmëruar: “Komuniteti hebraik e ka paralajmëruar botën se thirrjet ‘globalizoni Intifadën’ dhe ‘rezistencë me çdo mjet të nevojshëm’ janë thirrje për dhunë”, tha ai, duke iu referuar një kryengritjeje palestineze kundër sundimit izraelit. /rtsh/

Share This