KOK-u shpërblen me 33.500 euro ekipin olimpik
Komitetit Olimpik i Kosovës ka vendosur të shpërblejë edhe këtë herë sportistët tanë për suksesin dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.
Ekipi ynë olimpik fitoi medaljen e argjendtë me Distria Krasniqin dhe të bronztën me Laura Fazliun, të dyja nga sporti i xhudos.
Të dyja medalistet olimpike, krahas shpërblimit shtetëror, do të shpërblehen edhe nga KOK-u me nga 10 mijë euro secila.
Trajneri i tyre, Driton Kuka, do të shpërblehet me 5 mijë euro.
Sukses është vlerësuar edhe vendi i pestë i Akil Gjakovës, që njëherit është suksesi më i madh në konkurrencën e meshkujve për ekipet tona olimpike. Akilit do t’i ndahen 4 mijë euro.
Kampionia olimpike Tokio 2020, Nora Gjakova, xhudistja Loriana Kuka dhe boksierja, Donjeta Sadiku, që u kualifikuan me normë olimpike, do të shpërblehen me nga 1 mijë euro, ndërsa pjesëmarrësve me ftesë të univerzalitetit, notarëve Hana Beiqi e Adell Shaboviq dhe atletes Gresa Bakraqi, do t’iu takojnë nga 500 euro.
Në total, shuma e ndarë është 33.500 euro.