
Kjo është oferta e tretë e Barcelonës për Rodrin
Barcelona ka bërë ofertën e tretë për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, duke tentuar të mbyllë transferimin e yllit spanjoll gjatë kësaj vere.
30-vjeçari raportohet se i ka bërë të ditur Manchester Cityt dëshirën për t’u transferuar te Barcelona, ndërsa pengesa kryesore në negociata mbetet vlera e marrëveshjes.
Sipas ekspertit të transferimeve Ben Jacobs, Barcelona ka paraqitur një ofertë të re dhe në klubin katalanas ka optimizëm se marrëveshja mund të finalizohet. Paketa e diskutuar aktualisht raportohet se është mbi 60 milionë paund.
Manchester City është i gatshëm të lejojë largimin e Rodrit, por kërkon një shumë që e konsideron të përshtatshme për një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës në vitet e fundit.
Në negociata raportohet se është përfshirë drejtpërdrejt edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili po përpiqet të ndihmojë në finalizimin e marrëveshjes.
Rodri, fitues i Topit të Artë në vitin 2024, ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Manchester Cityn. Ai pritet të largohet nga klubi anglez, ndërsa Barcelona shihet si destinacioni i preferuar i tij.
Transferimi i Rodrit mund të ketë pasoja edhe në afatin kalimtar të Manchester Cityt. Në rast të largimit të spanjollit, klubi anglez pritet të intensifikojë interesimin për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez, i cili prej disa javësh ndodhet në listën e objektivave të Cityt.

