KFOR-i viziton Mitrovicën, NATO: Prania në veri mbetet e pandryshuar

KFOR-i viziton Mitrovicën, NATO: Prania në veri mbetet e pandryshuar

Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli ka bërë të ditur se zyrtarë të lartë të misionit KFOR kanë vizituar së fundmi personelin e dislokuar në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, vizita kishte për qëllim të riafirmonte praninë e vazhdueshme të KFOR-it në terren dhe të vlerësonte nga afër situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Gjatë vizitës, komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU), Gianfranco Di Fiore, monitoroi aktivitetet e sigurisë mobile, ndërsa shefi i Shtabit të KFOR-it zhvilloi takime me pjesëtarët e MSU-së dhe të Ekipeve për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT), me qëllim marrjen e përditësimeve mbi situatën operacionale.

Komanda e NATO-s në Napoli theksoi se operacionet e sigurisë, së bashku me angazhimin e vazhdueshëm me komunitetet lokale, i mundësojnë KFOR-it të përshtatë pozicionimin dhe praninë e tij sipas zhvillimeve në terren.

“KFOR-i mbetet i informuar, i lidhur me komunitetet dhe i gatshëm të reagojë sa herë që është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, komandanti i MSU-së u takua edhe me pjesëtarët e Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim K2, duke vlerësuar punën e tyre në ruajtjen e komunikimit dhe dialogut me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në terren.

NATO theksoi se, pavarësisht optimizimit të pozicionimit të forcave, përgjegjësia dhe angazhimi i KFOR-it në Kosovë mbeten të pandryshuara.

Share This