KF Rahoveci: Nëse nuk mund të na ndihmoni, të paktën mos na dëmtoni

KF Rahoveci: Nëse nuk mund të na ndihmoni, të paktën mos na dëmtoni

KF Rahoveci, një tjetër klub i njohur kosovar që ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në futbollin e Kosovës.

Reagim!

KF Rahoveci ka ndjekur me vëmendje dhe shpreh indinjatën e thellë të disa opinionistëve mediatikë, të cilët pa asnjë bazë e pa profilizim profesional sportiv, tentojnë ta përlyejnë punën e madhe që bëhet në klubet kosovare, ku investohen miliona euro.

Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm që ta shtyejmë përpara agjenden kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë.

Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional.

Megjithatë klubet kosovare, duke përfshi KF Rahoveci, investojnë para të bizneseve që e mbështesin sportin, në këtë rast futbollin.

KF Rahoveci është klub financiarisht i pavarur dhe ne drejtuesit e klubit me krenari investojmë paratë tona për të ardhmën e klubit, njëkohësisht të futbollit kombëtar.

Andaj edhe një letër e hapur e një gazetari, i cili nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrëfar ndikimi në këtë lëmi, synon të na mbajë ligjeratë e të na mësojë se si të veprojmë.

Historia e klubit tonë dëshmon shumë por edhe tani me menaxhimin profesional synojmë të ngritemi edhe më lartë. Kjo është dëshmia më e mirë e investimit korrekt dhe profesional.

Ju apelojmë të gjithëve, nëse nuk keni mundësi për ta ndihmuar futbollin, atëherë të paktën mos e pengoni atë!

Share This