Kështu mbyllet ndeshja Atletico Madrid-Arsenal

Kështu mbyllet ndeshja Atletico Madrid-Arsenal

Atletico Madrid dhe Arsenal barazuan 1-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të UEFA Champions League, duke lënë të hapur çështjen e finalistit për sfidën e kthimit në Londër, transmeton Rekordi.net.

Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone e nisi më mirë takimin dhe krijoi rastin e parë serioz, por portieri David Raya reagoi në mënyrë vendimtare ndaj goditjes së Julián Alvarez. Më pas, londinezët morën kontrollin e lojës, me Martin Odegaard dhe Noni Madueke që rrezikuan portën vendase.

Dominimi i “Topçinjve” u konkretizua pak para pushimit, kur Viktor Gyökeres fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Dávid Hancko. Sulmuesi suedez u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Arsenalin në epërsi 0-1.

Në pjesën e dytë, Atletico reagoi fuqishëm. Presioni i tyre u shpërblye me një penallti, pas prekjes së topit me dorë nga Ben White. Nga 11 metra, Alvarez nuk gaboi dhe barazoi shifrat në 1-1.

Skuadra spanjolle ishte më kërkuese deri në fund, me Antoine Griezmann që goditi traversën, ndërsa raste të tjera të humbura dhe ndërhyrjet e Raya-s mbajtën rezultatin të pandryshuar. Arsenali pati edhe një tjetër mundësi nga penalltia, por vendimi u anulua pas rishikimit me VAR.

Në fund, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në “Emirates”, ku Arsenali do të synojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës, ndërsa Atlético udhëton me besim se mund të sigurojë finalen. /Rekordi.net

Share This