
KESCO kërkoi rritjen e çmimit të energjisë edhe për shkak të rritjes së pagës minimale
KESCO në kërkesën e saj ndaj ZRRE-së, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka përmendur edhe rritjen e pagës minimale.
Një ndër arsyet që Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ka përmendur në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë për 21.4 për qind për vitin 2026, është edhe rritja e pagës minimale, shkruan VOX Kosova.
Në dokumentin e dorëzuar në ZRRE, te kostot me pakicë, thuhet se kompania përveç furnizimit me energji elektrike ka obligime operative për të siguruar shërbime të rregullta dhe funksionale për konsumatorët, përfshirë proceset e faturimit, informimit, kujdesit ndaj konsumatorëve, zbatimit të kërkesave ligjore dhe përputhshmërisë me standardet e shërbimit.

Te kjo pikë potencohet çështja e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari 2026 dhe në 500 euro nga korriku 2026. Aty theksohet se pritet një efekt zinxhiror në kostot operative të Furnizuesit me Shërbim Universal.
“Ky vendim, i cili është i detyrueshëm dhe jashtë kontrollit të FSHU-së, do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e shërbimeve esenciale të ofruara nga kompanitë partnere dhe nën-kontraktorët, si sigurimi fizik, pastrimi, mirëmbajtja dhe shërbimet teknike mbështetëse, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e kompanisë”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.
Qeveria në detyrë e Kosovës, më 31 tetor, kishte marrë vendim për ta rritur pagën minimale.
Kjo rritje, siç pati thënë Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, do të bëhet në dy faza – fillimisht në janar dhe më pas në korrik të këtij viti.
Nga ana tjetër, qe nga viti 2021, të paktën 2 herë është shtrenjtuar rryma nga ZRRE-ja për konsumatorët.
Në vitin 2023, ZRRE rriti faturat për 15.4 për qind, ndërsa në vitin 2025 rritja ishte 16.1 për qind.


