Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Policia ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar katër raste të dhunës në familje, ndërsa katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Deçan dhe Mitrovicë.
Sipas policisë, në Prishtinë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje. I dyshuari u dërgua në mbajtje. Në Fushë-Kosovë është arrestuar një i dyshuar pasi kishte kanosur bashkëshorten.
Edhe në Deçan një burrë është arrestuar pasi nën ndikim të alkoolit kishte ushtruar dhunë psikike ndaj familjarëve dhe tentoi të vetlëndohej me thikë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit kishte ushtruar dhunë psikike ndaj familjarëve të tij si dhe kishte tentuar të vet lëndohet me një mjet të mprehtë (thikë). Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Kurse në Mitrovicë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje u sulmua nga personi me të cilin po bashkëjetonte. Ajo pasi ka pranuar tretman mjekësor është kthyer te prindërit e saj, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje, raporton rtk.