
Kanye West “ndez” Tiranën, mijëra fansa nga 80 vende të botës mbushën “Eagle Stadium”. Rama: Shqipëri e bukur europiane
Tirana shndërrohet në qendrën e muzikës hip-hop, teksa reperi me famë botërore Kanye West mbajti koncertin e tij në kryeqytetin shqiptar.
Mijëra fansa nga Shqipëria dhe rreth 80 vende të botës u mblodhën në “Eagle Stadium”, arena e ndërtuar posaçërisht për këtë event në zonën e Kasharit. Me një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh, stadiumi priti një nga ngjarjet muzikore më të mëdha të organizuara ndonjëherë në vend.
Artisti me ndikim global u ngjit në skenë për një performancë unike “one-night-only”, duke sjellë në Shqipëri një produksion gjigant të standardeve më të larta ndërkombëtare.
Atmosfera nisi që në orët e para të mbrëmjes, me fansat që mbushën arenën në pritje të artistit amerikan, ndërsa koncerti u shoqërua me një skenografi gjigante të krijuar posaçërisht për performancën e Ye.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga koncerti, duke vënë në dukje pjesëmarrjen e gjerë ndërkombëtare.
“Shqipëri e bukur europiane! Tirona o’ nona! 80 kombësi ka rreth asaj vatre”, shkroi Rama në Facebook.
Më herët gjatë ditës, kryeministri kishte pritur Kanye West në ambientet e Kryeministrisë.
Koncerti i Kanye West konsiderohet një nga eventet më të rëndësishme muzikore të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, duke tërhequr vizitorë nga dhjetëra vende dhe duke e kthyer Tiranën në një pikëtakim të fansave të artistit nga e gjithë bota. /rtsh/

