Kancelari gjerman pas takimit me Donald Trump: Jam i bindur se SHBA-të do të qëndrojnë në NATO

Kancelari gjerman pas takimit me Donald Trump: Jam i bindur se SHBA-të do të qëndrojnë në NATO

Pas takimit me presidentin e SHBA-ve, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se është i bindur se SHBA-të do të qëndrojnë në NATO.

“Donald Trump ishte i qartë, ai nuk do t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga NATO. Nuk kam asnjë dyshim se SHBA-të do të qëndrojnë në Aleancë”, tha Merz.

Duke iu referuar përmbajtjes së bisedimeve të tij në Uashington, kancelari gjerman tha se i theksoi presidentit amerikan se “SHBA-ja gjithashtu ka nevojë për partnerë në botë dhe evropianët janë partnerët e duhur për t’u përballur me sfidat globale”.

Ky është ndryshimi midis regjimeve totalitare dhe demokracive, tha Friedrich Merz, “regjimet totalitare kanë vartës, demokracitë kanë partnerë”.

Megjithatë, kancelari theksoi se në Uashington nuk duket se ka një kuptim të qartë të shkallës së pajisjeve aktuale ruse.

Lidhur me politikën e SHBA-ve ndaj Ukrainës, Merz shprehu besim se bashkëpunimi i mirë midis partnerëve do të vazhdojë dhe tha se qeveria amerikane nuk ka një kuptim të qartë të shkallës së pajisjeve dhe mobilizimit ushtarak që po zhvillohet në Rusi.

Në fakt, duke iu përgjigjur pak kohë më parë një pyetjeje në lidhje me përqendrimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Mitko Müller, u kufizua duke deklaruar se Gjermania është në komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me partnerët e saj të NATO-s dhe iu referua vlerësimeve të Aleancës për nivelin e kërcënimit, veçanërisht në pjesën lindore të Aleancës.

Më parë, Gjenerali Major i Bundesëehr-it, Christian Freunding, i tha Reuters se evropianët mund të mbulonin ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, “nëse do të kishte vullnet politik”.

Lufta në Ukrainë “po zhvillohet në kontinentin evropian dhe kundër rendit evropian të sigurisë”, tha oficeri, duke pranuar se aktualisht “nuk është e qartë se si do të sillen SHBA-të, të cilat aktualisht janë mbështetëset më të mëdha të forcave të armatosura ukrainase, në të ardhmen.

“Megjithatë, në përgjithësi mund të shohim se qeveria amerikane ka një interes të madh në promovimin e industrisë së vet të armëve, kështu që supozoj me të gjitha rezervat se të paktën një blerje nga amerikanët në dobi të Ukrainës do të ishte e mundur”, shtoi ai.

Në fjalimin e tij në Ditën e Biznesit Familjar, Friedrich Merz iu referua edhe çështjes së politikës doganore të SHBA-së, duke vënë në dukje, ndër të tjera, se në Uashington u ra dakord të emëroheshin përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe Kancelarisë të cilët “do të diskutojnë intensivisht marrëdhëniet tregtare gjermano-amerikane”. /RTSH/

Share This