Kajro: Sulmi i Gazës ‘provë e qartë’ se Izraeli nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës
Egjipti ka dënuar ashpër sulmin izraelit sot në një strehë brenda një shkolle në qytetin e Gazës, i cili vrau të paktën 100 njerëz.
Ministria e Jashtme në Kajro tha se sulmi tregon një mospërfillje të paprecedentë të ligjit ndërkombëtar.
Sipas ministrisë, sulmi ishte një vazhdim i krimeve në shkallë të gjerë – në të cilat u vranë një numër i madh civilësh të paarmatosur.
Ministria theksoi se sulmi erdhi në një kohë kur ndërmjetësit po përpiqeshin të arrinin një armëpushim në Gazë – duke shtuar se kjo ishte ‘provë e qartë’ se nuk ka vullnet nga pala izraelite për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
Egjipti ka qenë i përfshirë në përpjekjet mujore së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katarin – për të arritur një armëpushim midis Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez Hamas për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Të paktën 100 persona u vranë në sulmin ajror gjatë natës të kryer nga forcat izraelite në një shkollë në qytetin e Gazës”, sipas burimeve mjekësore dhe të sigurisë. /atsh/