
Juve-Zhegrova, zhvillime interesante
E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, pasi futbollisti kosovar po gjen shumë pak hapësirë në formacionin e skuadrës italiane.
Zhegrova nuk konsiderohet më si pjesë e rëndësishme e projektit teknik të “Zonjës së Vjetër”, ndërsa minutazhi i tij në ndeshjet e fundit ka qenë minimal.
Futbollisti kosovar u aktivizua vetëm për 20 minuta në përballjen ndaj Frosinones, ndërsa në ndeshjen si vendas kundër Parmës nuk luajti fare për shkak të një problemi fizik.
Sipas raportimeve të mediave italiane, deri më tani nuk ka ardhur asnjë ofertë konkrete për transferimin e Zhegrovës.
Megjithatë, interesimi për të nuk mungon. Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, në Itali raportohet se Al-Ittihad e ka në listën e dëshirave futbollistin kosovar. Zhegrova thuhet se është i hapur për një transferim në Arabinë Saudite.
Juventusi, ndërkohë, e ka përcaktuar çmimin për kartonin e tij. “Bianconerët” kërkojnë të paktën 15 milionë euro, shumë e cila mund të rritet përmes bonuseve dhe një përqindjeje nga një shitje e ardhshme e lojtarit.
Mbetet të shihet nëse klubi saudit do të paraqesë ofertë për transferim të përhershëm apo do të tentojë ta marrë Zhegrovën në huazim me pagesë, të shoqëruar me detyrim blerjeje.
Në garë për shërbimet e tij raportohet se është edhe Lazio. Klubi italian thuhet se e dëshiron Zhegrovën në formë huazimi.
Në këto rrethana, e ardhmja e reprezentuesit të Kosovës në Torino mbetet e paqartë, ndërsa ditët në vijim pritet të sjellin më shumë qartësi për destinacionin e tij të ardhshëm.

