
“Jo në kanale të WhatsAppit”, Çitaku thotë se Kurti s’u ka çuar ftesë të shkruar për takim – “donim të diskutonim për parimet”
Nesër, me fillim nga ora 11:00, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Ky është takimi i dytë brenda një periudhe të shkurtër mes kreut të VV-së dhe Abdixhikut, ndërsa PDK-ja është në pritje të një shkrese zyrtare për takim.
Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo tha se partia nuk ka marrë ftesë zyrtare nga kryeministri për takim.
Pas mbledhjes së Kryesisë e cila u zhvillua gjatë kësaj jave, Çitaku theksoi se zgjedhja e presidentit të vendit është një moment shumë i rëndësishëm për demokracinë parlamentare.
“Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë, ndërsa PDK-ja ka vetëm 22 deputetë. Nëse shumica parlamentare është e interesuar për të zgjedhur presidentin, nuk e ka opsion vetëm bashkëbisedimin me PDK-në, por ka edhe mundësi të tjera”, tha nënkryetarja e Kuvendit.
Në anën tjetër, Kosova ka hyrë në dhjetëditëshin e fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa 28 prilli është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.


