
Izraeli vijon ofensivën në qytetin e Gazës, Netanyahu: Nisim bisedimet për lirimin e të gjithë pengjeve
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka udhëzuar nisjen e negociatave për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe përfundimin e luftës në Gaza me kushte “të pranueshme për Izraelin”. Deklarata e Netanyah erdhi pas vizitës që ai zhvilloi në selinë e divizionit të Gazës, për miratimin e planeve të IDF-ve.
“Kam ardhur për të miratuar planet e IDF-së (Forcave Mbrojtëse të Izraelit) për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës dhe për të mposhtur Hamasin. Këto dy çështje – mposhtja e Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve tona – shkojnë dorë për dore“, tha ai.
Netanyahu u tha trupave izraelite mbrëmjen e djeshme (21 gusht) se kabineti i tij kishte miratuar gjithashtu plane për një sulm masiv në Qytetin e Gazës në veri të territorit, pavarësisht kundërshtimit të gjerë ndërkombëtar dhe vendas.
Hamasi ra dakord të hënën për një propozim të hartuar nga ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit për një armëpushim 60-ditor, i cili sipas Katarit do të shihte lirimin e gjysmës së pengjeve të mbetura në Gaza.
Zyrtarët izraelitë këtë javë kanë shprehur kundërshtim ndaj një marrëveshjeje armëpushimi që do të përfshinte vetëm lirimin e pjesshëm të pengjeve.
Të mërkurën, Hamasi akuzoi Netanyahun për shpërfillje të propozimit të ndërmjetësve për armëpushim dhe e akuzoi atë për pengim të një marrëveshjeje. Izraeli beson se vetëm 20 nga 50 pengjet janë ende gjallë pas 22 muajsh lufte. /rtsh/

