
Izraeli sulmon programin bërthamor të Iranit, çfarë shkatërroi?
Izraeli ka goditur reaktorin e ujit të rëndë në Arak të Iranit në një nga sulmet më të mëdha ushtarake ndaj infrastrukturës bërthamore të Teheranit.
Sulmi ndodhi të enjten në mëngjes dhe, sipas burimeve iraniane, objekti ishte evakuuar plotësisht pa shkaktuar viktima civile në zonë.
Reaktori IR-40 në Arak, i cili ndodhet rreth 250 kilometra nga Teherani, është një nga objektet më të rëndësishme bërthamore të Iranit, me aftësi për të prodhuar rreth 9 kilogramë plutonium – mjaftueshëm për një armë bërthamore. Edhe pse Irani pretendon se ky reaktor ka përdorim civil, SHBA dhe aleatët e saj kanë shprehur shqetësime për potencialin ushtarak të tij.
Sulmi ndaj Arakut ishte vetëm një pjesë e një ofensive më të gjerë të ushtrisë izraelite që nisi të premten e kaluar, duke synuar objektiva bërthamore dhe ushtarake në të gjithë Iranin. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe imazheve satelitore, janë goditur tre qendra kyçe të pasurimit të uraniumit.
Në objektin qendror nëntokësor të Natanzit, infrastruktura elektrike u shkatërrua plotësisht, përfshirë impiantet rezervë, duke dëmtuar ose shkatërruar mijëra centrifuga. Gjithashtu, impianti pilot PFEP u shkatërrua në tërësi.
Katër objekte të tjera në Isfahan, përfshirë qendrën e konvertimit të uraniumit dhe njësi për teknologjinë e metalurgjisë së uraniumit, gjithashtu u goditën rëndë. Ndërsa objektet në Karaj dhe Teheran që prodhojnë centrifuga u shkatërruan pjesërisht.
Sipas burimeve rajonale, të paktën 14 shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë gjatë ofensivës, në mesin e tyre nëntë të identifikuar si pjesë kyçe e përpjekjeve të Iranit për ndërtimin e një arme bërthamore.
Ndërkohë, Irani ka njoftuar masa “të padeklaruara” për mbrojtjen e programit të tij bërthamor dhe po shqyrton tërheqjen nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore (NPT), një hap që do ta largonte më tej nga bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike.
Sipas vlerësimeve të fundit të IAEA-s, Irani ka uranium të mjaftueshëm të pasuruar deri në 60% për të ndërtuar deri në nëntë bomba bërthamore, ndërsa nëse sulmet e reja ndalojnë funksionimin e impianteve kyçe, Teherani mund të përballet me vështirësi të mëdha teknike për të vazhduar programin e tij.