Itali: 78-vjeçari e vret shqiptarin pasi zbulon se kishe një lidhje me gruan e tij

Itali: 78-vjeçari e vret shqiptarin pasi zbulon se kishe një lidhje me gruan e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Itali.

Një 45-vjeçar shqiptar u vra nga një 78-vjeçar.

Dritan Hakaj u vra nga i moshuari Walter Budri, i cili edhe u arrestua.

Vrasja ndodhi në afërsi të banesës së Budrit, në rrugën Varese, në Garbagnate Milanese, në veri të Milanos në Itali.

Mediat italiane raportojnë se “viktima kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e autorit të dyshuar”.

Sipas informacioneve të para thuhet se shqiptari frekuentonte shtëpinë ku jetonte i moshuari me gruan e tij, gjithashtu shqiptare.

Në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, 45 vjeçari kishte shkuar në gjendje të dehur në banesën e çiftit dhe sulmoi gruan, në prani të djalit të saj 11-vjeçar, të cilin ajo e kishte nga një lidhje e mëparshme, jo me bashkëshortin aktual.

Ky i fundit reagoi dhe me një pistoletë Beretta 22 që mbante në shtëpi, qëlloi dy herë në ajër për të trembur Hakajn, i cili doli nga apartamenti dhe zbriti shkallët, në tentativë për t’u larguar. Por, i moshuari vendosi ta ndjekë dhe zbriti me ashensor.

Në katin e parë të ndërtesës, ata u ndeshën sërish ku pati edhe një përleshje fizike mes tyre para se italiani të shkrepte armën duke e lënë të vdekur në vend 45-vjeçarin.

Plumbi e goditi në gjoks Dritan Hakajn, që rezultoi të ishte fatal.

Walter Budri, u arrestua nën akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Në dëshminë e parë dhënë policisë, mediat raportojnë se 78-vjeçari pranoi se ai qëlloi pas sherrit me 45-vjeçarin.

Ndërkaq, ai dha po ashtu edhe një tjetër dëshmi për prokurorët por nuk dihen shumë detaje.

Në vendin e ngjarjes u konfiskua edhe arma “Beretta 22”, që dyshohet se është përdorur në rast.

Sa i përket viktimës, Dritan Hakaj ishte me banim në Milano të Italisë dhe përveçse i papunë, rezultonte person me precedentë penalë në trafikun e lëndëve narkotike, shfrytëzimin e prostitucionit, si dhe për vjedhje.

Share This