Irani optimist për raundin e tretë të bisedimeve me SHBA-në: Shpresa konkrete për marrëveshje

Irani optimist për raundin e tretë të bisedimeve me SHBA-në: Shpresa konkrete për marrëveshje

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, shprehu optimizëm sot për një “perspektivë të mirë” nga raundi i tretë i bisedimeve me SHBA-në lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Një zyrtar i lartë amerikan tha të hënën se i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, do të takohen me delegacionin iranian, të udhëhequr nga Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Gjenevë të enjten.

Të dy vendet rifilluan bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit në fillim të këtij muaji, ndërsa Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë forca ushtarake në Lindjen e Mesme në pritje të sulmeve të mundshme kundër Republikës Islamike. Irani ka kërcënuar të sulmojë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet.

Më 19 shkurt, Donald Trump tha se po i jepte Teheranit 10–15 ditë për të arritur një marrëveshje.

“Lidhur me bisedimet, ne shohim një perspektivë të mirë nesër në takimin që Dr. Araghchi do të ketë në Gjenevë… Ne jemi përpjekur, nën udhëheqjen e Udhëheqësit Suprem, ta menaxhojmë këtë proces në mënyrë që të dalim nga situata ‘pa luftë, pa paqe’”, tha Pezeshkian, në deklaratat e transmetuara nga media shtetërore.

Dje, Ministri i Jashtëm iranian tha se një marrëveshje me SHBA-në “është shumë afër, por vetëm nëse diplomacisë i jepet përparësi”. /rtsh/

Share This