Irani ndal Belgjikën, gjithçka e hapur në Grupin G

Irani ndal Belgjikën, gjithçka e hapur në Grupin G

Irani ka vazhduar serinë pozitive në Kupën e Botës 2026, duke barazuar pa gola 0-0 ndaj Belgjikës në ndeshjen e Grupit G, të zhvilluar në Los Anxhelos.

Përfaqësuesja iraniane tregoi karakter dhe organizim të lartë, duke siguruar pikën e dytë në turne dhe duke mbetur e pamposhtur pas dy ndeshjeve të para, një arritje që e realizon për herë të parë në histori të pjesëmarrjeve të saj në Botëror.

Belgjika dominoi në posedim dhe krijoi rastet e para të rrezikshme. Maxim De Cuyper dhe Kevin De Bruyne testuan portierin Alireza Beiranvand, ndërsa në anën tjetër Hossein Kanani detyroi Thibaut Courtois të bënte një pritje vendimtare pas një kundërsulmi të shpejtë iranian.

Irani mendoi se kishte kaluar në epërsi në minutën e 25-të kur Mehdi Taremi realizoi pas një goditjeje të mençur nga ndërprerja, por sistemi VAR e anuloi golin për pozitë jashtë loje.

Edhe pjesa e dytë solli të njëjtin skenar. Belgët kontrolluan topin, por iranianët u treguan më të rrezikshëm në sulm. Courtois shpëtoi ekipin e tij pas një goditjeje të Taremit, ndërsa në anën tjetër Beiranvand bëri një tjetër pritje spektakolare ndaj De Cuyper.

Momenti kyç i takimit erdhi në mesin e pjesës së dytë, kur Nathan Ngoy gaboi në mbrojtje dhe rrëzoi Taremin në tentativë për ta ndalur. Gjyqtari Darío Herrera nuk hezitoi të nxirrte kartonin e kuq direkt për mbrojtësin belg, duke e lënë Belgjikën me dhjetë lojtarë.

Megjithatë, Irani nuk arriti të përfitonte nga epërsia numerike, ndërsa Belgjika rezistoi deri në fund për të siguruar një pikë.

Pas dy ndeshjeve, të dyja kombëtaret kanë nga dy pikë në Grupin G dhe gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit. Belgjika do të përballet me Zelandën e Re, ndërsa Irani me Egjiptin, në garën për një vend në mesin e 32 skuadrave më të mira të Botërorit 2026.

Share This