Irani del me propozim të ri për SHBA: Rihapim Hormuzin, në një fazë të dytë negociatat bërthamore

Irani del me propozim të ri për SHBA: Rihapim Hormuzin, në një fazë të dytë negociatat bërthamore

Media amerikane Axios raporton se Teherani, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, i ka paraqitur Washingtonit një propozim të ri për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit n Lindjen e mesme.

Duke cituar një zyrtar amerikan dhe burime të tjera që kanë dijeni mbi çështjen, ajo shkruan se nisma synon të kapërcejë ngërçin aktual diplomatik dhe përçarjet e brendshme në udhëheqjen iraniane lidhur me lëshimet që mund t’i ofrohen Uashingtonit mbi programin bërthamore.

Propozimi i Teheranit parashikon trajtimin e menjëhershëm të çështjes së rihapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane, ndërsa negociatat mbi pasurimin e uraniumit të shtyhen për një fazë të dytë.

Presidenti amerikan Donald Trump mbrojti të dielën vendimin e tij për të anuluar udhëtimin e planifikuar të të dërguarve të tij në Pakistan, duke thënë se autoritetet iraniane mund të telefonojnë nëse duan negociciata me SHBA-në, ndërsa përsëriti se lufta mund të mbarojë shumë shpejt.

Por ministri i jashtëm Abbas Aragchi pasi mbërriti të hënën në Rusi, akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se janë përgjegjëse për dështimin e bisedimeve të paqes.

“Qasjet amerikane bënë që raundi i parë i negociatave, pavarësisht përparimeve, të mos arrinte objektivat për shkak të kërkesave të tepruara”- deklaroi ai sipas medieve shtetërore iraniane, ndërsa theksoi se siguria e kalimit në Ngushticën e Hormuzit është një çështje e rëndësishme globale.

Përplasjet SHBA- Iran për rrugën jetike për tregtinë globale të naftës bënë që çmimet e arit të zi të rriten. Të hënën një fuçi naftë e papërpunuar Brent u shit me 107 dollarë, ndërsa nafta e papërpunuar e tregtuar në SHBA u rrit në 95.4 dollarë. /rtsh/

Share This