
IPK rekomandon suspendimin e një rreshteri, shkak hetimet ndaj tij
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një rreshteri të Policisë Kufitare.
Rekomandimi i IPK-së vjen pasi ndaj reshterit ka nisur një hetim penal, i cili do të zhvillohet në koordinim me Prokurorinë Themelore Gjilan, lidhur me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Dyshohet se zyrtari policor është i përfshirë në një incident që raportohet të ketë ndodhur në qytetin e Vitisë një ditë më parë pas një mosmarrëveshjeje të zyrtarit policor me një qytetar shkaku i një kontesti pronësor.
“Incidenti ku është përfshirë si i dyshuar zyrtari policor raportohet të ketë ndodhur në qytetin e Vitisë më 24.03.2025 rreth orës 21:00, pas një mosmarrëveshjeje të zyrtarit policor me një qytetar lidhur me një kontest pronësor. Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur IPK-ja.
Tutje thuhet se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast.