
India dhe Evropa përjetojnë krizë karburanti, ndërsa furnizimet me gaz të Gjirit janë ndërprerë për shkak të luftës
India dhe Evropa po përjetojnë një krizë të thelluar energjetike pas ndërprerjes së furnizimeve me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Gjiri, e shkaktuar nga lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Kompanitë indiane kanë reduktuar furnizimet për industritë vendase, ndërsa importuesi kryesor i gazit, Petronet LNG Ltd, ka njoftuar GAIL (India) dhe kompani të tjera për ulje të dërgesave.
Shkurtimet variojnë nga 10% deri në 30%, duke detyruar korporatat si Indian Oil Corp (IOC) të paralajmërojnë klientët për ndërprerje të furnizimit.
India, si blerësi i katërt më i madh në botë i LNG-së, mbështetet kryesisht tek Lindja e Mesme.
Katari, prodhuesi më i madh global i LNG-së, pezulloi prodhimin pas një sulmi me dronë ndaj objekteve energjetike në Mesaieed dhe Ras Laffan, duke shpallur “forcë madhore” – një klauzolë që e lironte nga detyrimet kontraktuale për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme.
Çmimet e gazit natyror u rritën me mbi 33%, ndërsa kontrata holandeze TTF, pika referuese e rajonit, shënoi një rritje të fortë pas ndërprerjes së furnizimeve.
Indekset evropiane ranë ndjeshëm, duke reflektuar pasigurinë e tregut energjetik.
Lufta në Lindjen e Mesme ka prekur edhe Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më kritike të tranzitit energjetik global, duke nxitur rritje të mëtejshme të çmimeve.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e furnizimeve nga Katari, i cili përfaqëson 20% të tregut global të LNG-së, mund të zgjasë krizën energjetike. Kompanitë indiane po përgatiten të hapin tenderë spot për të kompensuar mungesën, megjithëse kostot e transportit dhe sigurimit janë rritur ndjeshëm.
Konflikti SHBA-Izrael-Iran pritet të ketë pasoja afatgjata për tregjet globale të energjisë, ndërsa mungesa e një zgjidhjeje diplomatike e bën situatën edhe më të paqartë. /rtsh/


