“I dridhej zëri, kërkonte ndihmë – thoshte se po qajnë fëmijët”, Afrim Gashi tregon detaje për komunikimin me Vjosa Osmanin për incidentin në Aeroportin e Shkupit
“Më thirri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dridhej zëri, kërkonte ndihmë. Ajo më tha se kishte probleme në aeroportin e Shkupit dhe se ishte ndarë nga fëmijët që ishin gjithashtu në aeroport”.
Kështu ka thënë këtë martë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pasi është pyetur nga gazetarët për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit në fillim të këtij muaji, meqë kjo fundit kishte kërkuar ndihmë nga kryekuvendari i RMV-së.
“Më tha se fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin. Më duhej të ndihmoja. Nuk e di se cili person nuk do të ndihmonte nëse dikush lutet për ndihmë”, ka treguar Gashi.
Më 1 gusht, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, pati theksuar se në aeroport presidentes sigurimi ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por Osmani kishte refuzuar.
“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, thuhej në reagim.
Ai kishte potencuar se përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, “sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.
“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”.
Kupina kishte treguar se është vërejtur qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe për të shkaktuar incident, derisa Osmani e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, për t’i kërkuar ndihmë.
Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, kishte njoftuar se Osmani teksa po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që Osmani të kalonte pa u skanuar fare.
Edhe Aeroporti i Shkupit nëpërmjet një komunikate për media kishte njoftuar se punonjësit sipas rregulloreve ndërkombëtare kanë për obligim ligjor që të kryejnë kontroll sigurie ndaj të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.