
I caktohet masa e paraburgimit të dyshuarit për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit M. S., i cili dyshohet për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datën 1 prill 2026, i pandehuri dyshohet se ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme dhe pa pëlqimin e të miturës , vajzës së tij, duke përdorur përmbajtje të papërshtatshme dhe duke bërë kërkesa të papranueshme. Pas incidentit, e mitura ka njoftuar prindin tjetër dhe rasti është raportuar në polici.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe për mbrojtjen e privatësisë dhe dinjitetit të personave të përfshirë, veçanërisht të të miturës, detajet janë kufizuar. Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçija, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


