
Hykolli me rastin e 1 Majit: Punëtori kërkon drejtësi, jo arsyetime
Me rastin e Ditës Botërore të Punëtorit, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka theksuar se 1 Maji nuk është vetëm një datë simbolike, por një thirrje për drejtësi dhe veprim konkret.
Ai ka deklaruar se zëri i punëtorit nuk mund të zbutet me fjalë, sepse punëtori sot kërkon drejtësi.
“1 Maji nuk është vetëm ditë që shënohet, por është ditë që kërkon përgjigje. Është kujtesë se dinjiteti në punë nuk jepet, por fitohet dhe mbrohet çdo ditë. Sot, zëri i punëtorit nuk mund të zbutet me fjalë të mira. Ai kërkon drejtësi. Punëtori në Kosovë punon shumë e jeton pak”, ka thënë ai.
Sipas Hykollit, çmimet rriten pa ndalë, ndërsa paga mbetet prapa dhe puna nuk po e mban jetën. Ai thekson se kjo nuk është vetëm gjendje, por padrejtësi që kërkon korrigjim.
“Këtë e them qartë dhe pa asnjë mëdyshje: kjo situatë nuk mund të normalizohet. Nuk mund të pranohet që djersa të mos kthehet në mirëqenie. Nuk mund të pranohet që puna të mos japë siguri. Kjo është vijë që nuk duhet të kalohet më”, ka deklaruar Hykolli.
Prandaj, thirrja e sindikatave për vendimmarrësit, sipas tij, nuk është formale, por është kërkesë e drejtë dhe e menjëhershme që të vendosin ekuilibër mes çmimeve dhe pagave, ta përmbyllin Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive dhe ta funksionalizojnë pa vonesë Këshillin Ekonomiko-Social.
“Sepse pa këto, drejtësia në punë mbetet fjalë, jo realitet. BSPK-ja do të jetë zë që nuk tërhiqet dhe kërkesë që nuk zbehet, sepse përfaqësimi i punëtorit nuk është rol, por përgjegjësi”, ka thënë ai, raporton rtk.
Duke i uruar të gjithë punëtorët për 1 Majin, Hykolli ka theksuar se puna e tyre duhet të njihet, të vlerësohet dhe të shpërblehet drejt.
“Sepse vetëm kur puna e mban jetën, atëherë kjo ditë nuk është vetëm festë, por dëshmi e drejtësisë së arritur”, ka përfunduar kryetari i BSPK-së.


