
Hykmete Bajrami: “53,788 vota janë përgjegjësi, votën time nuk ia delegoj askujt”
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nuk e ka deleguar votën e saj te askush, duke kundërshtuar çdo marrëveshje politike që, sipas saj, do t’ia zgjaste pushtetin kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Bajrami ka theksuar se mbështetja që ka marrë nga qytetarët në zgjedhje nuk i është dhënë për të qenë “vetëm numër në Kuvend”, por për të përfaqësuar zërin e qytetarëve dhe për të kundërshtuar, siç ka thënë ajo, keqqeverisjen.
“Nuk e kam deleguar votën te askush. Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por sipas saj, edhe më shumë ka nevojë për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie.
“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Bajrami ka bërë të ditur se është kundër zgjedhjeve të reja, por ka theksuar se shmangia e tyre nuk mund të shërbejë si arsye që deputetët të detyrohen të votojnë marrëveshje të prezantuara si të kryera.
Sipas saj, emrat që janë diskutuar për postin e Presidentit të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së.
“Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike. Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, është shprehur Bajrami.
Ajo ka ngritur gjithashtu çështjen e afatit për konstituimin e Kuvendit, duke deklaruar se, sipas saj, Kuvendi ka kaluar afatin 30-ditor për konstituim.
Në fund, Bajrami ka theksuar se do të vazhdojë të votojë sipas bindjes së saj dhe interesit të vendit.
“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt. Demokraci!”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.

