
Hoxhaj për zhvillimet në Shqipëri: Arritjet euroatlantike nuk duhet të rrezikohen nga tensionet politike
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka komentuar zhvillimet e fundit dhe protestat në Shqipëri, duke theksuar se ato përbëjnë çështje të brendshme që duhet të trajtohen përmes institucioneve demokratike dhe mekanizmave kushtetues të shtetit shqiptar.
Përmes një reagimi publik, Hoxhaj vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke nënvizuar se vendi ka arritur suksese të rëndësishme në proceset euroatlantike dhe në forcimin e rolit të tij rajonal.
“Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s, ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar dhe ka dëshmuar se është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon”, ka theksuar ai.
Sipas Hoxhajt, këto arritje strategjike duhet të mbrohen dhe të mos vihen në pikëpyetje nga veprime politike që, sipas tij, krijojnë tensione dhe ndasi në shoqëri.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu kundër përpjekjeve për të nxitur përçarje mes shqiptarëve, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe qasje konstruktive në adresimin e sfidave.
Në përfundim, Hoxhaj ka theksuar se një Shqipëri e qëndrueshme, demokratike dhe e orientuar drejt integrimeve euroatlantike mbetet interes i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

