Hoxhaj: Kurti e Vuçiqi po e përdorin veriun për të konsoliduar pushtetin – Asociacioni një autonomi politike e territoriale
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, njëherit edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës dhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hoxhaj ka thënë se kryeministri Kurti në këto tri vite të qeverisjes ka luftuar komplet në vijë të kundërt të trendëve ndërkombëtare dhe ndryshimeve gjeopolitike, duke e përdorur veriun e Kosovës si platformë për ta konsoliduar pushtetin e tij.
“Me luftën në Ukrainë, me luftën në Gaza, me një luftë të mundshme në Tajvan, është ka shpërbëhet rendi ndërkombëtar dhe zoti Kurti ka luftuar komplet, në vij të kundërt të trendëve ndërkombëtare, të ndryshimeve gjeopolitike dhe mbi të gjitha ka vendos që në emër të një politike që sa më shumë ta konsolidon pushtetin e tij të brendshëm duke përdorë veriun e Kosovës si një platformë për ta konsoliduar pushtetin e tij”, tha Hoxhaj.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës shtoi se sot situata e veriut të vendit i shërben për të qenë në pushtet Albin Kurti në Prishtinë dhe Aleksandër Vuçiqit në Serbi.
Hoxhaj theksoi se PDK-ja asnjëherë nuk e ka përdorur situatën në veri të vendit për popullizëm politik.
“Ne kemi vepruar në raport me veriun e Kosovës, duke shpërbërë struktura paralele, duke luftuar krimin dhe krimin e organizuar në veri të vendit duke bërë çdo gjë që ta përmbyllim shtet ndërtimin e Kosovës në veri të vendit, duke integruar komunitetin serb. Ne asnjëherë nuk e kemi përdorë situatën e veriut të Kosovës për popullizëm politik. Kjo se çfarë po ndodh në veri të vendit nuk është në përputhje me interesin nacional të shtetit të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Ai shtoi se “ajo çfarë ka ndodhur këto dy tri vitet e fundit në veri ka qenë një politikë e Serbisë, ku zoti Kurti ka rënë në kurthin e Aleksandar Vuçiqit”.
“Veriu i Kosovës është përdorur si platformë që perëndimi ta humb besimin në shtetin e Kosovës, që Kosova dhe Perëndimi të përçahen, që amerikanët dhe evropianët mos t’i besojnë Republikës së Kosovës, duke e përdorë veriun si platformë të luftës hibride që një gjë e tillë të ndodhë dhe sot aktualisht Qeverisë Kurti nuk i beson kush në Uashington në Berlin, në Paris, në Romë, në Londër, në Bruksel sikur se dëshmoi edhe vetë fakti i letrës të cilën e dërgoi Meloni, Scholz dhe Macron”, tha Hoxhaj.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Hoxhaj tha se draft-statuti është një autonomi e plotë politike, territoriale, religjioze që ka ardhur si pasojë e veprimeve në veri të vendit.