Hovenier: Mbesim të bashkuar në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë së Ukrainës
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se mbeten të bashkuar me aleatët në mbështetje të pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës.
Këtë deklaratë Hovenier e bëri në platformën “X” me rastin e eventit të organizuar sot në Prishtinë nga QUINT-i, në nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës.
“Sot, ne shënuam Ditën Kombëtare të Ukrainës dhe nderuam qëndrueshmërinë e popullit të Ukrainës. Dy vjet e gjysmë pas pushtimit të plotë të Rusisë, ne mbetemi të bashkuar në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë së Ukrainës. #QëndroniMeUkrainë”, ka shkruar Hovenier.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar sot me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare.
Kurti tha se një nga format e para të ndihmës që Kosova i ofroi Ukrainës ishte programi i strehimit të gazetarëve, i cili i ka dhënë 18 gazetarëve ukrainas statusin e mbrojtjes së përkohshme, në mënyrë që ata të vazhdojnë punën e tyre.
Ai tha se në bashkëpunim me “MAT Kosova” (Trajnim për Veprim ndaj Minave), dhe EUCOM (Komanda Evropiane e SHBA), FSK ka trajnuar 140 ukrainas në fushën e deminimit.