
Hoti: Reduktimet e rrymës në vitin 2026 janë dëshmi e keqmenaxhimit të qeverisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër pas rikthimit të reduktimeve të energjisë elektrike, duke i cilësuar ato si pasojë të drejtpërdrejtë të keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit nga ana e qeverisë.
Sipas Hotit, është e papranueshme që qytetarët dhe bizneset në Kosovë të përballen me ndërprerje të rrymës në vitin 2026, ndërsa përgjegjësia, sipas tij, është politike dhe e drejtpërdrejtë.
“Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se çdo reduktim i energjisë elektrike përbën dëshmi të qartë të keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik.
“Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, ka përfunduar Hoti.

