Hoti: Qeveria e ka mbytur dialogun social
Ish-kryeministri tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është e papranueshme që në zgjedhjen anëtarit të bordit të Trustit të anashkalohet BSPK dhe të përzgjidhet një person që nuk plotëson kriteret ligjore.
Deputeti Hoti i ka ftuar të gjitha sindikatat që ta parandalojnë këtë shkelje
“Është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të anashkalohet BSPK-ja dhe të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional që menaxhon kursimet pensionale të punëtorëve. Unë ftoj të gjitha sindikatat të bëhen bashkë për të parandaluar këtë shkelje. Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa”, ka shruar Hoti në Facebook.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social dhe se Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet.
“Në fakt, kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë. Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar. Pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar. Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse”, ka thekuar ai, raporton rtk.