Hidhet mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie në Zubin Potok
Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orët e hershme të së mërkurës është hedhur një mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie të banuar me serbë në Zubin Potok.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet ekzistojnë që bëhet fjalë për granatë dore.
“Ka pasur dëme materiale në vetura dhe në dritaren e shtëpisë”, ka thënë ai, duke treguar se Policia ka nisur hetimet për këtë rast, raporton Rel.
Elshani nuk ka bërë të ditur nëse ka pasur pasoja në njerëz.
Një rast si ky nuk është i rrallë në veriun e Kosovës në vjetët e fundit.
Për hedhje të mjeteve shpërthyuese dhe djegie të veturave është raportuar disa herë në këtë rajon, sidomos në kohën e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Zubin Potoku, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviqin, janë katër komunat me shumicë serbe në veri.
Tensionet në atë pjesë kanë qenë relativisht të larta në muajt e fundit, për shkak të atyre që Qeveria i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në atë pjesë.