‘Hendbolli na bashkon’
Të shtunën është mbajtur aktiviteti i parë i projektit shumë ambicioz “Handball verbindet uns – Hendbolli na bashkon”.
“Ky është projekt i përbashkët i Federatës së Hendbollit të Zvicrës dhe Federatës së Hendbollit të Kosovës. Synimi është i qartë – që sa më shumë fëmijë me rrënjë shqiptare e që jetojnë në Zvicër, të bëhen pjesë e shkollave dhe klubeve të hendbollit”, thuhet në njoftimin e FHK-së.
Aktiviteti i parë është mbajtur të shtunën paradite në St. Gallen.
Sipas njoftimit të FHK-së, dhjetëra fëmijë shqiptarë dhe familjarët e tyre ishin pjesë e aktivitetit. Ata janë njoftuar me lojën e hendbollit, mundësitë që ofron sporti ynë dhe perspektivën e marrjes me hendboll. Të gjithë ishin shumë të kënaqur me pjesëmarrjen dhe aktivitetin e zhvilluar.
Ndër të tjera në këtë aktivitet kontribuuan kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Valon Dedaj, pivotja e Kombëtares së Kosovës, Dafina Mustafa dhe ish-reprezentuesja e Kosovës, Pashke Marku, që është prej më meritoreve për realizimin e projektit.
Federata e Hendbollit e Kosovës i falënderon të gjithë ata që kontribuuan dhe po kontribuojnë në këtë projekt më rëndësi të madhe.
Pas një jave aktivitetet në kuadër të projektit “Hendbolli na bashkon” do të mbahen në Luzern dhe Aarau.