
Haxhiu: Kosova e sheh të ardhmen e saj në BE
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë.
Ajo ka treguar se biseduan për rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, për reformat që duhet të çohen përpara dhe për rëndësinë që procesi i zgjerimit të jetë i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar në merita.
“Kosova e sheh të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian. Ky është orientim i qytetarëve tanë, projekt shtetëror dhe zgjedhje strategjike. Prandaj, presim që përkushtimi ynë ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane të gjejë përgjigje të qartë edhe nga Bashkimi Evropian. E falënderova Komisioneren Kos për vizitën dhe për angazhimin e saj në procesin e zgjerimit. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, në interes të qytetarëve tanë dhe të një Evrope më të plotë, më të sigurt dhe më demokratike”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

